Më 11 dhjetor 2021, Ish-kryeministri Sali Berisha, me firmën e mijëra delegatëve, ashtu siç parashikon Statuti i PD thirri Kuvendin Kombëtar të kësaj force politike, mbledhje e cila nuk do të konsiderohej legjitime në asnjë moment si nga Lulzim Basha, ashtu edhe nga zyrtarë të tjerë në krah të tij. Ata do e konsideronin si miting të Berishës, por për kundër këtyre deklaratave, Kuvendi Kombëtar i jashtëzakonshëm do të merrte një sërë vendimesh, ndër të cilat edhe ai për shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha. Ky vendim do të rikonfirmohej në Referendumin e 18 dhjetorit, që u mbajt paralelisht me Kuvendin e thirrur nga Lulzim Basha. Këto përballje ishin pikënisja e dy betejave gjyqësore, nga të cilat me një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë në favor, Berisha arriti të marrë selinë blu.