Në prag të sezonit turistik, në bregdetin e Velipojës u zhvillua një aksion masiv vullnetar për pastrimin e zones. Mbi 1500 të rinj, së bashku me organizata, institucione shtetërore dhe biznese, iu bashkuan kësaj nisme, duke e kthyer atë në një angazhim të gjerë komunitar për mjedisin. Vullnetarët u organizuan në grupe dhe u shpërndanë përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga zona e mbrojtur në derdhjen e Bunës deri në lagunën e Vilunit, duke mbuluar në mënyrë të koordinuar çdo segment të bregdetit.