Sulmi brutal rus ndaj Ukrainës ka shtuar frikën e disa vendeve evropiane se ato mund të vihen nën shënjestrën e Moskës. Perëndimi thotë se ndër vendet më të rrezikuara janë shtetet, që nuk janë anëtare të NATO-s apo Bashkimit Evropian. Mes tyre përfshihen Moldavia fqinje me Ukrainën dhe Gjeorgjia në kufi me Rusinë, që të dyja dikur pjesë e Bashkimit Sovjetik, së bashku me shtetet ballkanike, Kosovën dhe Bosnjën. Por analistët paralajmërojnë se edhe shtetet anëtare të NATO-s mund të jenë në rrezik, si Estonia, Letonia dhe Lituania pranë Rusisë, si dhe Mali i Zi, qoftë nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë ushtarake e Moskës, ose nga përpjekjet për destabilizimin politik.