Pas luhatjeve në bursën ndërkombëtare, si pasojë e armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, edhe në Shqipëri u reflektua ulja e çmimit të tregtimit të naftës, ndërkohë që çmimi i benzinës mbeti i pandryshuar. Bordi i Transparencës vendosi të ulë çmimin e naftës me katër lekë për litër. Duke filluar nga kjo e mërkurë, në pikat e tregtimit me pakicë, nafta do të blihet me 220 lekë për litër, nga 224 lekë për litër që ishte më parë. Ndërkohë çmimi i shitjes me shumicë do të jetë jo më shumë se 208 lekë për litër. Sa i takon benzinës, bordi i transparencës vendosi ta mbajtë të pandryshuar çmimin e tregtimit me pakicë, në nivelin e 181 lekë për litër. Në pikat e shitjes me shumicë benzina do të tregtohet jo më shumë se 169 lekë për litër.