Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz konfirmuan se kanë nisur bisedimet mbi mundësinë e zgjatjes së ombrellës bërthamore franceze mbi kontinentin europian. Më shume detaje, shefi i Elizesë premton të japë në javët në vijim. Ky konsiderohet një nga rezultatet më konkrete të takimeve në Mynih. Macron shpjegoi se Franca ka nisur një dialog strategjik me disa vende europiane mbi armët bërthamore franceze. ‘Traktatet bërthamore që u shpërbënë gjatë administratës së dytë Trump janë negociuar për europianët, por pa europianët në tryezë. Për ne kjo lloj mbrojtjeje është e domosdoshme, sepse pikërisht për shkak të gjeografisë sonë, nuk kemi zgjedhje tjetër’ është shprehur Macron. Edhe në Gjermani, ideja e një ombrelle parandalimi atomik, ka nisur të mbështetet nga një pjesë e mirë e spektrit politik vendas. Shtylla e tretë kryesore e mbrojtjes europiane është Britania e Madhe. Kryeministri britanik Keir Starmer i drejtohet këtë të shtunë pjesëmarrësve të konferencës së Mynihut dhe pritet që të flasë për një vizion të ri sigurie europiane.