Natasha Pirc Musar fitoi raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Slloveni, për t’u bërë presidentja e parë grua e këtij vendi. Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës konfirmuan se Pirc Musar mundi kundërshtarin e saj, Anzhe Llogar. Me mbi 90 për qind të votave të numëruara, ajo fitoi rreth 54 për qind, ndërsa Llogar mori rreth 46 për qind dhe e pranoi humbjen. “Sllovenia zgjodhi një presidente që beson në Bashkimin Evropian, në vlerat demokratike mbi të cilat u themelua BE-ja”, tha Pirc Musar pas fitores. Në zgjedhje morën pjesë afro 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Pirc Musar do të zëvendësojë presidentin e deritashëm, Borut Pahor, i cili ka qenë aktiv në politikë për më shumë se 30 vjet.