Një tjetër anëtar i Kongresit të Shteteve të Bashkuara doli pozitiv në testin për koronavirus, duke nxitur urdhrin për veshje të detyrueshme të maskës në ndërtesë. Urdhri u lëshua nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi. Disa orë më vonë, mjeku i Kongresit tha se maska duhet të vendoset brenda zyrave të Kongresit, me disa përjashtime të vogla. Detyrimi hyn në fuqi prej sot. Pelosi, e cila vjen nga Partia Demokratike, tha se mosvënia e maskës është “shkelje serioze” dhe se anëtarët mund të largohen nga ndërtesa nëse nuk e veshin.