Një gjyq i shumëpritur, për tragjedinë më të rëndë hekurudhore në Greqi ku mbetën të vrarë 57 persona, në vitin 2023, ka nisur në Larisa. Tridhjetë e gjashtë persona përballen me akuza dhe më shumë se 350 dëshmitarë do të dëgjohen në gjyqin që nisi në qytetin qendror të Larisës, pranë vendit ku një tren mallrash dhe një tren pasagjerësh u përplasën më 28 shkurt 2023. Midis atyre që do të dëshmojnë janë të mbijetuar dhe anëtarë të familjeve të viktimave, disa prej të cilëve besohet se janë djegur pasi i mbijetuan përplasjes fillestare. Shumica e viktimave ishin studentë që ktheheshin pas pushimeve të fundjavës. Para fillimit të gjyqit, Pavlos Aslanidis, djali 26-vjeçar i të cilit, Dimitris, vdiq në katastrofë, u tha gazetarëve: "Ky gjyq po fillon me vonesë të madhe... ajo që duam është ndëshkimi shembullor i atyre që janë përgjegjës." Të akuzuarit përfshijnë menaxherin e stacionit në detyrë natën e aksidentit, zyrtarë të tjerë të hekurudhës dhe dy ish-punonjës italianë të kompanisë mëmë të trenave, Ferrovie dello Stato. Të dy trenat kishin qarkulluar në të njëjtat shina për më shumë se 10 minuta pa ndezur asnjë alarm. Fatkeqësia nxori në pah gjendjen e keqe të sistemeve të sigurisë së rrjetit hekurudhor grek, pavarësisht granteve të BE-së për modernizimin e tyre dhe paralajmërimeve të përsëritura nga sindikatat. Gjyqi pritet të zgjasë disa vjet.