Ndërtuesit ishin optimistë për të ardhmen e sektorit në anketën e muajit mars, duke parashikuar rritje të shitjeve, megjithëse presin rënie të çmimeve. Anketa mujore e vrojtimit të besimit në ekonomi e Bankës së Shqipërisë thekson se treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit u rrit me 3.5 pikë përqindjeje në krahasim me muajin shkurt. Edhe industria u shfaq më optimiste në krahasim me shkurtin, ndërsa rekordin e mban sektori i shërbimeve, ku një pjesë e mirë e këtij tregu parashikon rritje të aktivitetit me gjallërimin e turizmit dhe ardhjes së sezonit turistik.