Akuzat e opozitës në Kuvend për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, kanë tingëlluar në veshët e shefit të ekzekutivit, Edi Rama si një baltosje e pamerituar dhe e pavërtetë. Gjatë një bashkëbisedimi për sipërmarrjen, Rama ngriti në piedestal transformimin e sektorit të ndërtimit, që sipas tij pavarësisht goditjeve, sulmeve dhe baltës ka arritur të jetë i mjaft suksesshëm. “Sektori i ndërtimit sjell shumë të mira, por nga ana tjetër si çdo gjë në këtë vend që sulmohet kur shfaqet me sukses, është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, sulme, baltë që lëndon një numër të madh protagonistësh. As nuk e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, përfshirë edhe vende që na bëjnë leksione ne, ka probleme dhe problemet këtu në Shqipëri janë më të mprehta në disa raste se ç’janë në vende të tjera. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, qartë si drita e diellit dhe e çmuar si djersa e dhjetëra mijëra njerëzve që i japin jetë këtij sektori. Por që këtë sukses, këtë transformim që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm menjëherë sa dikush vjen në Shqipëri, ta fusim në kornizën e krimit, është diçka e neveritshme dhe e papranueshme.” Ndër të tjera, Rama dënoi mesazhet që eksponentë të Partisë Demokratike japin në mediat ndërkombëtare, që sipas tij nuk është gjë tjetër veçse një tentativë e dështuar për të fituar betejën politike.