Kina dhe Pakistani kanë hedhur në tryezë një plan me pesë pika që synon t’i japë fund luftës në Iran, ku ndër pikat kryesore përfshihen një armëpushim i menjëhershëm dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit. Plani erdhi pas një vizite të ministrit të Jashtëm pakistanez në Pekin, ku kërkoi mbështetjen e Kinës për përpjekjet diplomatike drejt fundit të konfliktit. Nga ana e saj, diplomacia kineze bëri të ditur se të dy vendet po ndërmarrin hapa të rinj në funksion të promovimit të paqes. Deri më tani, reagimi i Pekinit ndaj luftës ka qenë i rezervuar, por situata po shihet me shqetësim në rritje. Edhe pse Kina ka rezerva energjie dhe është më pak e ekspozuar ndaj krizave të menjëhershme, ekziston frika se përshkallëzimi i konfliktit mund të godasë në afatgjatë industrinë e saj, një shtyllë kyçe e ekonomisë globale. Konflikti prek drejtpërdrejt edhe interesat strategjike të Presidentit Xi Jinping, i cili synon stabilitet ekonomik dhe politik për të garantuar vijimësinë e rritjes dhe eksporteve. Një muaj pas nisjes së luftës dhe me çmimet e karburanteve në rritje, Kina duket se po intensifikon përpjekjet për një armëpushim.