Vendet e NATO-s i janë kundërvënë Donald Trump pasi ai kërkoi ndihmën e tyre për të rihapur Ngushticën e Hormuzit, ndërsa refuzojnë të përfshihen më tej në luftën me Iranin. Presidenti amerikan u kërkoi aleatëve të bashkoheshin me një mision për të mbrojtur transportin detar në Gjirin Persik, por u shpërfill nga kryeministri britanik Keir Starmer, i cili tha se londra nuk do të 'dërgonte anije' për të mbrojtur cisternat e naftës nga sulmet iraniane. Franca, Gjermania, Italia, Greqia dhe Australia gjithashtu refuzuan të merrnin pjesë në përpjekjet për të rihapur kanalin jetësor, përmes të cilit rrjedh 20 përqind e naftës në botë. Trump po përpiqet me dëshpërim të hapë ngushticën, por BE ka pranuar se 'askush' nuk është i gatshëm të vërë trupa në 'rrezik' për rrugën ujore. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se duhet të gjenden mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë kanal të hapur. Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, i pyetur nëse aleatët e NATO-s, përfshirë Finlandën, duhet t’i bashkohen SHBA-së, tha se ata kishin Rusinë “për të cilën duhet të kujdeseshin”. “Ky ishte një sulm i papritur, askush prej nesh nuk dinte asgjë dhe kjo është arsyeja pse ndoshta ka pasur ngurrim dhe pak kundërshtim. Ne kemi oborrin tonë për t'u kujdesur, një kufi prej 1,340 km me Rusinë...”, tha ai. Kjo i bëri jehonë komenteve nga Gjermania, e cila pretendoi se lufta në iran “nuk është lufta e NATO-s”. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius hodhi poshtë kërkesat e Trump dhe minimizoi kërcënimet se një qëndrim i tillë nga aleatët do të dëmtonte NATO-n. “Çfarë pret Donald Trump që një grusht ose dy grushte fregatash evropiane të bëjnë në Ngushticën e Hormuzit atë që marina e fuqishme amerikane nuk mund ta bëjë?” tha ai në Berlin. “Kjo nuk është lufta jonë, ne nuk e kemi filluar atë.” Edhe kancelari Friedrich Merz tha se gjermania nuk do të kontribuojë ushtarakisht por edhe nënvizoi se regjimi iranian duhet të marrë fund. Greqia gjithashtu ka thënë se nuk do të përfshihet në asnjë operacion ushtarak në ngushticë ndërsa ministri i jashtëm italian, Antonio Tajani, theksoi se diplomacia është mënyra e duhur për të zgjidhur krizën në ngushticën e hormuzit. Trump paralajmëroi se NATO do të përballet me një të ardhme shumë të zymtë nëse nuk mbështet SHBA-në kundër Iranit. Por kërcënimi i tij duket se ka patur pak ndikim.