Është folur shumë këto ditë për marrëveshjen mes Kosovës dhe Turqisë për ndërtimin e fabrikës së parë të municionit në Kosovë. Edhe pse shumë detaje mbahet sekret, shkruan Radio Evropa e Lirë, shumëkush pyet: kur mund të funksionalizohet fabrika dhe çfarë hapash duhet të ndiqen për të përfituar prej saj? Në kohën e pasigurive rajonale dhe tensioneve globale, Kosova i ka vendosur vetes një objektiv: prodhimin e municioneve. Për ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ky do të jetë një hap shumë i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve ushtarake të vendit. Fabrika e paralajmëruar e municioneve, sipas tij, do të krijojë jo vetëm aftësi vetijake të mbrojtjes, por edhe mundësi eksporti.