Partia Socialiste i dha edhe një mundësi të fundit opozitës për reformën territoriale. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ua bëri të qartë demokratëve se reforma do të realizohet, me apo pa opozitën. Në rast se vijon mungesa e ligjvënësve të pakicës në komision, atëherë do të vihet në zbatim një mekanizëm zhbllokimi. “Mbledhja e radhës së Komisionit të thirret ditën e hënë. Nëse opozita bojkton edhe mbledhjen e ditës së hënë, atëherë në seancë do vendosim mekanizmin zhbllokues. Reforma do të bëhet doni apo nuk doni ju.” Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi se ndryshimet në hartën administrative -territorile bëhen nga mazhoranca për shkaqe elektorale, teksa mohoi bojkotin e opozitës.