Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka vënë nën hetim presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit “Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Sërpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt. Këtë deklaratë, presidenti e bëri lidhur me Srebrenicën, pasi Përfaqësuesi i Lartë më 21 shkurt miratoi ndryshimet e Ligjit për Qendrën Memoriale Srebrenica-Potoçari. Ndryshimet në këtë legjislacion mundësojnë që paratë që teprojnë nga fondet e dhuruara për varrimin dhe memorialet për viktimat të ridrejtohen për nevojat e tjera të funksionimit të kësaj qendre.