Censusi i përvitshëm i mjellmave në lumin Tamiz, në Anglinë juglindore, një traditë mbretërore që daton që nga shekulli i 12, është anuluar për shkak të koronavirusit. Numërimi i mjellmave, që përfshin matjen, peshimin dhe kontrollimin e tyre në ujërat mes surreyt dhe oksfordshajërit, zakonisht kryhet për pesë ditë në korrik. Spektakli, që përfshin të ashtuquajturit numërues mbretërorë të mjellmave, në uniforma tradicionale, tërheq turma shikuesish në të dyja brigjet e lumit, dhe shumë shkolla normalisht ftohen të bëhen pjesë e eventit.