Kontrata e miratuar më 25 maj 2022 mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë Gener 2 për projektimin dhe ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar parashikon në disa pika të saj edhe mënyrën se si do të bëhen shpronësimet. Kontrata thotë tekstualisht se identifikimi i objekteve për shpronësim bëhet nga shoqëria koncesionare, në këtë rast Gener 2. Kjo do të thotë se lista e pronave dhe pronarëve të tyre që sot po protestojnë kundër projektit është hartuar nga kompania dhe dorëzuar prej saj për shpronësim te Ministria e Infrastrukturës.