Presidenti Ilir Meta e ka nisur ditën me një përkufizim të Abraham Lincoln mbi demokracinë, duke bërë edhe një lidhje me realitetin në Shqipëri. Kreu i Shtetit thekson se 500 mijë shqiptarë janë larguar nga vendi vetëm në vitet e fundit. Sipas Metës, nuk është më zgjidhje largimi, por reagimi dhe përballja me këtë qeverisje. Duke iu referuar datave, Meta shkruan se në vitin 1863 Abraham Lincoln e përkufizoi Demokracinë si qeverisje e popullit, nga populli, për popullin. Një shekull e gjysmë nga kjo deklaratë dhe tridhjetë vite nga rënia e sistemit më të egër komunist të kontinentit, pyetja që shtrojmë sot në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë është: Çfarë lloj regjimi është vendosur sot në Shqipëri? A është kjo forma më e lartë e demokracisë dhe a i kanë përmbushur shqiptarët plotësisht aspiratat e tyre demokratike dhe europiane? A është kjo "Demokraci" një qeverisje e popullit, që buron nga populli, që i shërben popullit dhe që e meriton populli? – shkruan Meta.