Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin “The Script”, duke goditur veprimtari të paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe financiare. Gjatë këtij operacioni u kryen kontrolle në disa subjekte që merreshin me këmbimin e valutave në qytetin e Elbasanit, ku u zbulua fshehje e të ardhurave nga këmbimi valutor. Në total, 8 administratorë u proceduan penalisht për mosdeklarim të të ardhurave të fituara në mënyrë të paligjshme, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 54 milionë lekë në valuta të ndryshme, përfshirë lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paund britanik dhe lira turke.