Altin Dumani dhe Enkeleda Millonai, dy prokurorët e posaçëm që po hetojnë dosjen me tre akuzat ndaj Arben Ahmetajt do të rikthehen këtë të mërkurë në orën 16:00 në Kryesinë e Kuvendit për të mbrojtur kërkesën për autorizim për arrestimin e ish-ministrit. Mbledhja do të vijojë aty ku u ndërpre mbrëmjen e së martës, ndërsa avokatët e Arben Ahmetajt konfirmuan se ai e ka lënë Shqipërinë. Ahmetaj është larguar ditën e premte, në të njëjtën ditë kur SPAK ka firmosur shkresën adresuar Kuvendit për arrestimin e tij. Dalja është bërë përmes kufirit tokësor me Greqinë, por destinacioni final është i paditur.