Në Romë do të mbahet për herë të parë takimi ndërqeveritar Itali-Shqipëri. Shefi i ekzekutivit, Edi Rama së bashku me ministrat e kabinetit qeveritar do të udhëtojnë përtej Adriatikut, për të intensifikuar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të firmosur dakordësi dypalëshe. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni do të mirëpresë homologun e saj shqiptar në orën 11 e 30 minuta në Villa Doria Pamphilj, më pas delegacionet ministrore të dy vendeve do të ulen në tryezë të përbashkët që do përmbyllet me firmosjen e marrëveshjeve. Mësohet se pjesë e pakteve që presin të nënshkruhen në Romë është një dakordësi në sektorin e mbrojtjes, ku Italia zotohet të ofrojë pajisje dhe teknologji. Shqipëria tashmë e ka prioritet rijetëzimin e industrisë ushtarake dhe pala italiane do të ndihmojë me infrastrukturën detare dhe e ndërtimin e anijeve.