Mbetjet e shkaktuara nga fadromat e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit gjatë aksionit në Theth do të hiqen nga forcat e ushtrisë. Kryeministri Edi Rama njoftoi se forcat e xhenios kanë nisur pastrimin e mbetjeve inerte, duke bërë edhe bilancin e aksionit, ku sipas shifrave të Ramës, janë prishur mbi 100 ndërtime pa leje të ngritura nga 40 biznese. Ndërtimet, sipas Kryeministrit ishin nga ato me mure tek ato me konstruksion metalik e me dru, që thotë se janë në dhunim ekstrem të ligjit për zonat e mbrojtura, të historisë e të pejsazhit magjepsës të asaj zone.