Një aksident automobilistik është shënuar pasditen e së dielës në Lezhë, ku drejtuesja e një automjeti tip Benz ka humbur kontrollin, duke përfunduar në një kanal anës rrugës. Ngjarja u regjistrua në aksin që lidh fshatin Kallmet me superstradën Lezhë–Shkodër. Si pasojë e rrotullimit, mjeti pësoi dëmtime të shumta, ndërsa dy gra që udhëtonin në të mbetën të bllokuara për disa minuta. Në vendngjarje mbërritën dy autoambulanca dhe forca zjarrfikëse, të cilat me ndërhyrjen e tyre të shpejtë bënë të mundur nxjerrjen e dy të dëmtuarave nga automjeti i rënë në kanal. Sipas burimeve, të dyja gratë u dërguan menjëherë për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Aksi në fjalë është nga më problematikët e qarkut Lezhë, ndërsa ende nuk dihen se cilat kanë qenë shkaqet e këtij aksidenti të rëndë, por policia ka ngritur një grup hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të tij.