Mbretëria e Bashkuar ka tërhequr përkohësisht stafin nga ambasada e saj në Teheran, pasi kërcënimi i sulmeve të SHBA-së kundër Iranit ka nxitur paralajmërime nga një numër vendesh për qytetarët e tyre në Lindjen e Mesme. Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se kjo ishte një "masë paraprake" dhe se ambasada e saj në kryeqytetin e Iranit do vazhdojë të veprojë por nga distanca. Gjithashtu, Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar përditësoi udhëzimet e saj të udhëtimit duke këshilluar të gjithë shtetasit e saj që të evitojnë Lindjen e Mesme. Ndërkohë, ambasada amerikane në Izrael u tha disa anëtarëve të stafit jo-emergjent dhe familjeve të tyre të premten se mund të largoheshin nga vendi. Kjo vjen një ditë pasi Uashingtoni dhe Teherani zhvilluan bisedime, të cilat shihen gjerësisht si një përpjekje e fundit për të shmangur një luftë për shkak të ambicieve bërthamore të Iranit. Një numër vendesh të tjera, përfshirë Kinën, Indinë dhe Kanadanë, u kanë thënë qytetarëve të tyre të largohen nga Irani sa më shpejt të jetë e mundur për shkak të mundësisë së armiqësive. Presidenti Donald Trump ka kërcënuar me veprime ushtarake kundër Teheranit nëse nuk arrin një marrëveshje për programin e tij bërthamor.