Në një takim me kryeministren japoneze Sanae Takaichi në Zyrën Ovale, Presidentit amerikan Donald Trump iu bë pyetja pse nuk i informoi aleatët për planin e tij për të sulmuar Iranin. Dhe Trump u përgjigj duke përmendur sulmin e Japonisë në Pearl Harbor gjatë Luftës së Dytë Botërore. "Sepse donim elementin surprizë. Kush më mirë sesa Japonia e di këtë? Pse nuk më tregove për Pearl Harbor? A është kështu?" Takaichi u ngjesh në karrigen e saj dhe sytë e saj u zgurdulluan ndërsa Trump përmendi sulmin e Tokios ndaj flotës amerikane të Paqësorit në Haëaii, më 7 dhjetor 1941, që bëri që Shtetet e Bashkuara të hynin në Luftën e Dytë Botërore. Kryeministrja japoneze evitoi në fakt një përplasje të mundshme me Donald Trumpin për Iranin, pavarësisht komentit për Pearl Harborin. Disa ditë pasi sulmoi aleatët e SHBA-së, përfshirë Japoninë, për dështimin për t'iu bindur thirrjeve të tij për të ndihmuar në rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, Trump vlerësoi përpjekjet e Tokios në lidhje me luftën në Lindjen e Mesme në terma të paqartë. "Unë besoj se, bazuar në deklaratat që na u dhanë këto ditë, që kanë të bëjnë me Japoninë, ata po bëjnë vërtet një hap përpara," u tha Trump gazetarëve në shtëpinë e bardhë. Pas një pauze të gjatë, Trump shtoi "ndryshe nga NATO", duke përsëritur kritikat e tij ndaj aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA. Trump dha pak detaje rreth ndihmës që mund të ofrojë Japonia në sigurimin e rrugës ujore vendimtare, përmes së cilës normalisht kalon një e pesta e naftës botërore. Por toni i tij ndaj Takaichit ishte shumë më miqësor sesa sharjet ndaj aleatëve, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer, në ditët e fundit.