Konfliktet në Lindjen e Mesme mund të ndihmojnë turizmin shqiptar, duke bërë që shumë turistë të orientohen drejt vendeve më të sigurta, duke e kthyer Shqipërinë në një alternativë të favorshme për pushime. Anulimet e shumta të udhëtimeve drejt vendeve të përfshira në tensione kanë sjellë një rritje të interesit për destinacione më të afërta, teksa kostoja më e ulët dhe shtrirja gjeografike duken se janë elementët që mund të joshin europianët. Ky zhvillim vjen në një moment kur turizmi në vend nisi vitin me rënie. Në janar, Shqipëria regjistroi 552 mijë hyrje të shtetasve të huaj, 1.5% më pak krahasuar me një vit më parë, duke shënuar rënien e parë për këtë periudhë që nga pandemia. Megjithatë, situata gjeopolitike duket se po kompenson këtë fillim të dobët. Pavarësisht pasigurive, pritshmëritë për vitin 2026 mbeten pozitive, me një rritje të parashikuar prej 5-10% të vizitorëve të huaj. Megjithatë, ekspertët theksojnë se përfitimi afatgjatë do të varet nga përmirësimi i shërbimeve dhe përmbushja e pritshmërive të turistëve, në një treg gjithnjë e më konkurrues.