Prej kësaj të premteje (5 dhjetor 2025) Lista Serbe rikthehet zyrtarisht në katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, pas seancave konstituive. Komunat në veri me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës. Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, deklaroi pak ditë më parë se kryetarët e rinj të komunave, pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë. Lista Serbe, ka njoftuar gjithashtu se do të anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.