Këshilli Bashkiak i Tiranës i kërkon zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të lejojnë kryebashkiakun Erion Veliaj, që të marrë pjesë fizikisht në mbledhjet për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit 2026. Sipas kërkesës, pjesëmarrja e Veliajt për konsultimin dhe detajimin e projektbuxhetit është një proces i përcaktuar si detyrim ligjor nga legjislacioni për vetëqeverisjen vendore. Në kërkesë, anëtarët e Këshillit Bashkiak theksojnë se prania e kryebashkiakut është e detyrueshme për të garantuar bashkëpunimin me këshillin për çështje me interes publik. Këshilli thotë se se pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë është një e drejtë funksionale e garantuar me ligj dhe i kërkohet SPAK që të vlerësojë kërkesën për lejimin e përkohshëm të Veliajt për të marrë pjesë fizikisht në mbledhje në datat 16 dhe 18 dhjetor.