Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një “situatë e re” e cila i ka ndryshuar brenda natës planet që hartoi gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe Beograd. Deklarata vjen pasi Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për riregjistrimit të veturave me targat e lëshuara nga autoritetet e Serbisë me targat e Republikës së Kosovës. Qeveria e Kosovës, po ashtu, miratoi udhëzimin për kalimin e pikave kufitare me dokumente personale, sipas të cilit, të gjithë personat që kanë dokumente të lëshuara nga autoritetet serbem, me të hyrë në territorin e Kosovës, do të duhet të pajisen me një certifikatë të lëshuar nga autoritetet e Kosovës.