Revista e njohur Forbes i ka kushtuar një shkrim të gjatë sipërmarrësit të ri shqiptar, Premtim Gjonbalic që kur ishte vetëm 23 vjeç doli me një ide e cila do t’i sillte më vonë miliona dollarë. Premtimi kishte parë se tregu i hotelerisë kishte mangësi të mëdha kur vinte fjala tek ushqimi dhe eksperienca e shërbimit në dhomë. Djali i emigrantëve shqiptarë nga Mali i Zi u zhvendos bashkë me familjen në Nju Jork në fillimin e viteve 90′, ku praktikisht u “rrit me kokën në kuzhinë”. I ati punonte në restorante, ndërsa vetë Premtimi e kishte nisur punën si shpërndarës ushqimi, e më vonë, u bë menaxher. Ai vuri re se hotelet praktikisht po humbnin para me shërbimin në dhomë për shkak të kostos të lartë dhe volumit të madh të kërkesave. Por sërish u nevojitej ky shërbim për të siguruar një numër të respektuar yjesh.