Pas tërheqjes së kërkesës nga presidentja Osmani, e cila kërkon sqarim lidhur me fatet e Kuvendit, ku në krye të çështjes u emërua gyqtari serb Radomir Llabani, ka reaguar gjykata kushteteuse. përmes një reagimi për mediat, kushtetuesja thekson se gjyqtari i saj, Radomir Llaban, u emërua më 2018 pasi i ishte nënshtruar “të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore”, për propozimin e tij nga Kuvendi i Kosovës dhe dekretimit nga presidenti i Kosovës. Ai ka qenë i punësuar në gjykatën më të lartë të vendit nga viti 2011, fillimisht si këshilltar juridik, para se të emërohej gjyqtar më 9 gusht 2018. Sipas Kushtetueses, çështjet ndahen në bazë të rregullave procedurale dhe se vendimet merren në përbërje të plotë të kolegjit. "Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës", thuhet në reagim. Tërheqja erdhi pasi sipas Presidentes institucionet e sigurisë më 2018, 2021 dhe 2024 kanë dorëzuar informacione lidhur me “veprimtarinë e rrezikshme” të Llabanit. Osmani tha se ky gjyqtar paraqet rrezik për sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës dhe është i angazhuar në veprimtari kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.