Pas dorëheqjes së Ermal Dredhës nga drejtimi i Bashkisë së Vlorës, këshilltarët bashkiakë do të mblidhen për të komanduar përkohësisht një nga nënkryetarët në krye të punëve të bashkisë. Këtë të hënë, më 22 shtator, ora 10 në Pallatin e Kulturës “Labëria” këshilli bashkiak, drejtuar nga Elpiniqi Mërkuri do të diskutojë për gjashtë çështje, mes të cilave edhe caktimi i një prej nënkryetarëve të bashkisë për të ushtruar funksionet e numrit një të qytetit bregdetar. Mbledhjes së këshillit, i parapriu një takim i drejtuesit politik të Partisë Socialiste në Vlorë, Bledi Çuçi me këshilltarët e majtë, ku i pranishëm ishte edhe vetë Ermal Dredha. Burime nga takimi bëjnë me dije se të majtët janë udhëzuar që emri më i përshtatshëm për të ushtruar funksionet e kryetarit të bashkisë, është ai i Elis Halilit, i cili u emërua nënkryetar nga Dredha pak para se ai të jepte dorëheqjen.