Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund t’u shmanget marrëveshjeve Kosovë-Serbi që janë arritur nga qeveritë e kaluara. Ai e bëri deklaratën gjatë raportimit në Kuvendin e Kosovës në lidhje me marrëveshjen Kosovë-Serbi, për të cilën u arrit pajtim në Ohër. Brenda kësaj marrëveshjeje specifikohet se të dyja shtetet duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën. Kjo përfshin edhe themelimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, marrëveshja për të cilin u arrit në vitin 2013 dhe u specifikua në vitin 2015. Kjo marrëveshje që nuk u zbatua asnjëherë deri më tani, ishte kundërshtuar ashpër nga Kurti edhe gjatë kohës që ai ishte në opozitë.