Kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të presë sot në takime të ndara në Berlin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Më pas, dy liderët pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Takimi i Scholzit me Kurtin do të pasohet me një konferencë të përbashkët për media, në orën 16:00. Pastaj, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb.