Këtë të martë janë mbushur 30 vite nga fillimi i rrethimit të Sarajevës nga forcat e ushtrisë serbe. Në këtë ditë, më 1992, u regjistruan edhe viktimat e para nga snajperistët serbë. Suada Dillberoviç dhe Ollga Suçiç u vranë në një urë të qytetit, që sot mban emrin e tyre. Rrethimi i Sarajevës ishte një nga rrethimet më të gjata në historinë e luftës moderne dhe më i gjati i një kryeqyteti që ka ndodhur ndonjëherë. Rrethimi zgjati deri më 29 shkurt, 1996 - saktësisht 1,460 ditë. Gjatë rrethimit, Sarajeva ishte pothuajse plotësisht e shkëputur nga pjesa tjetër e Bosnje e Hercegovinës, me mungesa ushqimesh, energjisë elektrike, gazit, ilaçesh dhe ujit.