Ky është momenti kur lava derdhet në oqean gjatë shpërthimit të një vullkani në një ishull të largët tropikal. Masa e kuqe dhe e përvëluar e shkëmbit të shkrirë rrodhi poshtë një shkëmbi të zi, në ishullin Reunion të dielën. Më herët, magma e përvëluar u zvarrit ngadalë nëpër rrugë, duke shkrirë gjithçka që i dilte para, ndërsa kalimtarët shikonin me habi. Rrjedha e lavës rrëzoi pemët dhe dogji shkurret ndërsa gëlltiste asfaltin. Dy shpërthime lave nga vullkani ndërprenë autostradën kombëtare që lidh jugun dhe lindjen e ishullit, duke shkaktuar probleme të mëdha për vendasit. Aksesi në të gjithë ishullin është ndërprerë për 900,000 banorët e rajonit francez. Piton de la Fournaise, vullkani i ishullit Réunion, filloi të shpërthente më 13 shkurt. E diela ishte hera e parë që lava u takua me Oqeanin Indian në 19 vjet. Lava i shkrirë udhëtoi poshtë shpatit nga krahu juglindor i vullkanit përpara se të derdhej në oqean përgjatë kufirit bregdetar të ishullit. Kur lava ra në kontakt me ujin e detit, pjesa e jashtme e saj u ftoh pothuajse menjëherë duke u kthyer në një lloj xhami vullkanik. Uji i detit në anën tjetër u shndërrua në avull. Kur lava takohet me ujin e detit ajo mund të prodhojë një mjegull lavash - një përzierje që zakonisht përfshin avull, acid klorhidrik dhe grimca të vogla qelqi. Është e rrezikshme nëse thithet dhe irrituese për sytë dhe lëkurën. Ishulli Réunion, një departament francez në Oqeanin Indian, përjeton shpërthime vullkanesh çdo një deri në dy vjet. Piton de la Fournaise është një nga vullkanet më aktivë në botë, duke shpërthyer rreth njëzet herë gjatë 10 viteve të fundit.