Kryeministri britanik, Boris Johnson, raportohet se tani qëndron i ulur në krevat dhe bisedon me stafin ndërsa ka hyrë në ditën e pestë të qëndrimit të tij në spitalin Shën Thomas, në Londër. Ai u shtrua në spital mbrëmjen e të dielës dhe ka kaluar tre netët e fundit në kujdes intensiv pasi simptomat e tij, që u bënë të ditura më shumë se një javë më parë, nuk u zhdukën. Sipas zyrtarëve, Johnson po i përgjigjet trajtimit për koronavirus dhe është klinikisht në gjendje stabile – tha zëdhënësi i tij. Downing street tha më herët se ai nuk ishte duke punuar, por se mund të kontaktonte me ata që i nevojiteshin.