Gazetarja filipinase, Maria Ressa, shefja ekzekutive e një faqeje që kritikon presidentin, Rodrigo Duterte, është dënuar për shpifje, në një rast që është konsideruar test për liritë e mediave në këtë shtet. Një gjykatë në Manila ka shpallur fajtore Ressan dhe ish-gazetarin tjetër, Reynaldo Santos Jr, duke mundësuar dënim me deri gjashtë vjet burgim. “Ne do të ngrihemi kundër secilit sulm kundër lirisë së mediave”, ka thënë Ressa pas vendimit, duke u zotuar se do ta vazhdojë luftën. Dy të dënuarit janë liruar me kusht, në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit. Grupet për liri të shprehjes e kanë përshkruar këtë rast si të motivuar politikisht, me qëllim të heshtjes së kritikëve qeveritarë.