Rekurset abuzive apo haptazi të pabazuara, po cënojnë cilësinë e vendimeve dhe vendimmarrjen në përgjithësi. Kështu është shprehur Gjykata e Lartë, në një deklaratë për mediat. Gjykata bën me dije se rekurset e pabazuara sjellin një ngarkesë shtesë të panevojshme për Gjykatën e Lartë, e cila jo vetëm zgjat procesin e vendimmarrjes, por dëmton palët në proces. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi shprehet se numri i lartë i rekurseve dhe njëkohësisht vonesat në gjykim për këtë shkak, janë një nga problematikat shqetësuese. Sipas tij moskalimi i testit të pranueshmërisë adreson shqetësimin tek avokatët privatë, Avokatura e Shtetit dhe prokuroria, duke shtuar se avokatët duhet të kuptojnë se Gjykata e Lartë është një gjykatë ligji dhe jo një gjykatë fakti.