Autoritetet serbe kanë bërë një lloj “prove patriotizmi” për opozitarët. Mediat e kontrolluara nga Vuçiç akuzojnë opozitën për tradhëti në çështjen e Kosovës, Srebrenicës dhe NATO-s. Ky lloj testi, përbëhet nga tre pyetje: A jeni për hyrjen e Serbisë në NATO? A e njihni pavarësinë e Kosovës? Dhe a ka pasur gjenocid në Srebrenicë? Çdo mundësi mediatike, duele të rralla televizive mes qeverisë dhe opozitës, rrjetet sociale, tabloidet e regjimit, foltoret parlamentare, shfrytëzohen që disa prej këtyre pyetjeve t'iu drejtohen liderëve të opozitës. Në shikim të parë këto duken si pyetje legjitime në luftën politike.