5 marsi është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri në Kosovë. Nëse palët politike nuk gjejnë konsensus, vendi do të shkojë sërish në zgjedhje. Shpresat për gjetjen e një emri që bën bashkë qeverinë e Albin Kurtit dhe opozitën janë të zbehta, por megjithatë, kryeministri ka vijuar takimet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në ambientet e Kuvendit. Ky është takimi i dytë mes tyre, teksa pas atij të parit, kreu i LDK-së deklaroi se nuk iu kërkua vota për Vjosa Osmanin, duke theksuar se në takim nuk pati emra konkretë dhe as vullnet për kompromis. Më herët, Kurti pranoi ngërçin e krijuar, ndërsa shtoi se gjasat janë që të jenë edhe 3 kandidatë të propozuar. Nga ana tjetër presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, ndonëse partitë opozitare e kanë akuzuar si të njëanshme në rolin e saj. Sipas Kushtetutës, një kandidat për president duhet të mbështetet nga të paktën 30 deputetë për t’u propozuar. Për t’u zgjedhur, duhen 80 vota në dy raundet e para ose 61 në të tretin. Nëse Kuvendi dështon brenda afateve, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.