Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet “që mund të nxisin tensionet apo të shkaktojnë përshkallëzim”. KFOR tha se në linjë me mandatin që ka është i gatshëm “të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme”. Ky mision konfirmoi se mëngjesin e të hënës ka shtuar praninë në komunat në veri të Kosovës, pas rritjes së tensioneve. Serbët lokalë u mblodhën para ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur më 23 prill.