Tajvani do të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një vit, nga katër muaj që ishte më herët, duke filluar nga 2024 për shkak të kërcënimit në rritje ndaj ishullit që vetëqeverise, nga ana e kinës fqinje. Lajmi u konfirmua të martën nga presidentja e tajvanit Tsai Ing Uen. Lëvizja vjen ndërkohë që Kina ka ngritur në këmbë ushtrinë dhe ka rritur presionin diplomatik dhe ekonomik mbi Tajvanin duke pretenduar sovranitetin e saj mbi ishull, me misione thuajse të përditshme të forcës ajrore kineze afër ishullit, gjatë këtyre tre viteve të fundit. Presidentja e tajvanit, foli pas një takimi të këshillit kombëtar të sigurisë dhe tha se Tajvani donte paqe por duhej të ishte në gjendje të mbronte veten.