Kushdo që duhet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirugjikale në spitalin e Traumës në kryeqytet, fillimisht duhet të kalojë një kalvar të gjatë, ku përpos sfilitjes fizike e mendore të sëmundjes përballet edhe me peripecitë e shumta të sistemit shëndetësor në vend. Radha është e gjatë, ndërsa kapacitetet të pamjaftueshme, duke bërë që të krijohet një listë pritjeje, si pasojë e mungesave logjistike, ngërç i cili i faturohet gjithmonë pacientëve. Të dhënat e brendshme nga Spitali i Traumës ngrenë alarmin për pasojat e bllokimit të sallave operatore, me një numër të lartë pacientësh që presin prej muajsh, madje edhe vitesh për ndërhyrje kirurgjikale.