Policia Kufitare e Durrësit ka vënë në pranga një 55-vjeçar, i cili tentoi të fuste në territorin e Shqipërisë 1000 fishekë arme gjahu dhe rreth 20 mijë euro, pa i deklaruar sipas ligjit. Gjatë kontrolleve të shtuara në hyrje-daljet e Portit, të mbështetura edhe nga informacione operative, shërbimet policore ndaluan kamionin e drejtuar nga një 55 vjeçar. Në kabinën e automjetit u gjetën të fshehura fishekët, një armë gjahu, si dhe shuma e parave. Të gjitha u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me kamionin, pasaportën dhe celularin e të arrestuarit. Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Trafikim armësh dhe municionesh” dhe “Mosdeklarim në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.