Policia e Beratit, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, ka goditur një tjetër rast të kultivimit të bimëve narkotike, në kuadër të planit operacional “Koordinata”. Gjatë kontrollit të territorit në fshatin Osmëzezë, shërbimet e policisë zbuluan një parcelë me 64 bimë të dyshuara kanabis sativa. Bimët u asgjësuan në vendngjarje, ndërsa në flagrancë, brenda parcelës, u kapën dy kushërinjtë Sefedin dhe Ronaldo Mehmetaj. Të dy shtetasit u arrestuan për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Gjatë kontrollit në banesën e Sefedin Mehmetajt, policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu dhe disa fishekë të kësaj arme. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.