Avionët luftarakë izraelitë goditën Bejrutin qendror në orët e para të së mërkurës, duke shkatërruar ndërtesa apartamentesh në disa nga sulmet ajrore më intensive në qendër të kryeqytetit libanez për dekada të tëra, një zgjerim ky i luftës kundër Iranit. Izraeli ka shtuar sulmet ndaj Libanit dhe ka nisur po ashtu një sulm tokësor në jug, në ndjekje të grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani, i cili ka qëlluar përtej kufirit në solidaritet me Teheranin. Në lagjen Bachoura të Bejrutit qendror, Izraeli i paralajmëroi banorët të largoheshin nga një ndërtesë që tha se përdorej nga Hezbollahu, të cilën më pas e rrafshoi plotësisht. Videoja e dëshmitarëve okularë, tregoi strukturën duke u shpërbërë në pluhur ndërsa u godit në agim. Zjarrfikësit më vonë u ngjitën mbi një grumbull të madh rrënojash që ende lëshonin tym. Abu Khalil, i cili jeton në zonë, tha se kishte ndihmuar njerëzit të largoheshin nga shtëpitë aty pranë herët atë mëngjes pas paralajmërimit izraelit. "Është thjesht një operacion për të lënduar, për të tmerruar njerëzit, për të tmerruar fëmijët", tha ai, duke këmbëngulur se nuk kishte objektiva ushtarake aty pranë. Nuk u dhanë paralajmërime të ngjashme për sulmet që goditën ndërtesat e apartamenteve në dy lagje të tjera qendrore, duke vrarë të paktën 10 persona, sipas autoriteteve libaneze. Tymi dilte nga ballkoni i një ndërtese ndërsa banorët pastronin mbeturinat nga rruga, të rrethuar nga makina të shkatërruara. Ndërsa Izraeli ka goditur periferitë jugore të Bejrutit të kontrolluara nga Hezbollahu për ditë të tëra, sulmet e fundit ishin ndër më të rëndat që kanë goditur pjesët qendrore të kryeqytetit në dekada.