Komisionerja e BE për Zgjerimin, Marta Kos ka ndarë detaje lidhur me takimin e zhvilluar me Ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxhën. Në postimin e saj në platformën “X”, komisionerja shprehet se aktualisht Shqipëria është një nga vendet kryesuese në procesin e integrimit evropian. Ndërkohë bën me dije se po vijon rruga përpara me diskutimet mbi standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit. Marta Kos në takim me ministrin Hoxha ka theksuar nevojën për zbatim të besueshëm të standardeve të ndërmjetme për Shqipërinë, për të ruajtur vrullin në negociatat e pranimit. Ajo e ka cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për të arritur standardet e BE-së për sundimin e ligjit, anti-korrupsionin dhe demokracinë. “Shqipëria është aktualisht një nga vendet në krye të procesit të anëtarësimit në BE. Kjo vjen me pritshmëri të larta. Tani po përparojmë Me Ministrin e Jashtëm, Ferit Hoxha unë theksova nevojën për zbatim të besueshëm të standardeve të ndërmjetme për Shqipërinë, për të ruajtur vrullin në negociatat e pranimit. Ky është një hap i rëndësishëm për të arritur standardet e BE-së për sundimin e ligjit”, thuhet në postimin e komisioneres.