Rusia e konsideron gabim të madh vendimin e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut për t'i dhuruar tanke Ukrainës. Kështu tha zëdhënësja e ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zaharova, e cila komentoi vendimin e autoriteteve maqedonase për t’i dhuruar Ukrainës tanket, që sipas mediave ruse, Shkupi i kishte marrë nga Rusia në vitin 2000 për ti përdorur ata në përballjen me “separatistët shqiptarë”. Zaharova tha se Maqedonia e Veriut i ka dhënë mbështetje "vazhdimit të aktiviteteve kriminale të regjimit në Kiev". “Përkundër faktit se, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për një donacion ‘të padëmshëm’ të pajisjeve të vjetruara, Shkupi si besnik i NATO-s, është përfshirë në dërgimin e armëve në Ukrainë, duke kontribuar kështu në vazhdimin e aktivitetit kriminal të regjimit në Kiev kundër popullatës civile në Donbas”, tha ajo.