Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se do të ishte “çmenduri” të shpërfillej kërcënimi që tani përbën Rusia për Evropën dhe theksoi se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate në kontinent. Ai i bëri këto komente në prag të një takimi emergjent të liderëve të Bashkimit Evropian, që pritet të mbahet në Bruksel, për të diskutuar për rritjen e buxhetit ushtarak, që është një kërkesë e rëndësishme e administratës amerikane për shkak të shqetësimeve në lidhje me përkushtimin e Uashingtonit ndaj NATO-s dhe çështjeve të sigurisë evropiane. Macron tha në një fjalim televiziv se “ombrella jonë bërthamore na mbron neve: është e plotë, sovrane dhe plotësisht franceze”.